Arsimi turk në Kosovë mbush 72 vjet.    / Foto: AA

Arsimi në gjuhën turke ka mbushur 72 vjet që kur filloi zbatimin në shkollat e Republikës së Kosovës.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar vizitë në një prej shkollave të kryeqytetit ku zhvillohet mësimi në gjuhën turke, në shkollën fillore "Elena Gjika".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me përfaqësues të shkollës, tha se është krenar për traditën kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në Kosovë dhe mundësinë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

Ai tha se strategjia e arsimit për vitet 2022-2026 përfshin subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore dhe materialeve të tjera në gjuhën turke, por edhe në gjuhët e komuniteteve tjera joshumicë që jetojnë në Kosovë.

"Edhe individët edhe shteti përfitojnë nga avantazhet në trendin ndërkombëtar, si dhe solidaritet në nivel të Republikës ku njerëzit kanë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin. Por, para se të mësojmë gjuhët e njëri tjetrit duhet të jemi të sigurt në gjuhën tonë dhe arsimimi më i mirë është ai në gjuhën amtare", theksoi Kurti.

Zëvendësdrejtoresha e shkollës "Elena Gjika", Agnesa Globoder, tha se që nga viti 1951 vijohet mësimi në Kosovë në gjuhën turke me batica dhe zbatica sipas periudhave, por me punë, përkushtim dhe mbështetje, me sukses të mirë.

"Kemi 19 mësimdhënës të komunitetit turk dhe 198 nxënës nga klasat parafillore deri në klasën e nëntë. Po ashtu, vazhdon mësimi në gjimnazin Sami Frashëri ku vijojnë mësimin komuniteti turk dhe më pastaj për studime, jashtë vendit ose në Kosovë", theksoi Globoder.

Mësimi në gjuhën turke filloi në vitin shkollor 1951/52

Në periudhën e ish-Jugosllavisë, me vendimin e marrë në vitin 1951, u vendos që të hapen shkolla ku do të zhvillohet mësim në gjuhën turke për minoritetin turk që jeton në territorin e Kosovës.

Në vitin shkollor 1951-1952 fëmijët filluan të regjistrohen edhe në shkollat ​​fillore dhe ato të mesme për të mësuar turqishten dhe në këtë vit shkollor u hapën shkollat ​​e para fillore turke në qytetet e Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës dhe Pejës, si dhe në fshatrat Mamushë dhe Dobërçan.

Deri në vitin shkollor 1955-1956, në 12 shkolla fillore tetëvjeçare në 109 paralele ishin 3.558 nxënës dhe 134 mësues.

Mësimi turk në Kosovë vazhdon edhe sot në shkollat ​​e rajonit të Prizrenit, Prishtinës, Mamushës, Vushtrrisë, Gjilanit dhe Dobërçanit.

Përveç kësaj, ka departamente turke në nivelet baçellor dhe master në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.

TRT Balkan / agjencitë