Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur adresimin e fundvitit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në fjalën e presidentes në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Osmani, e cila u fokusua në sfidat e sigurisë, tha se po u flet deputetëve në fund të një viti shumë të vështirë për vendin pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Ajo tha se ky sulm ekspozoi sërish fytyrën e Serbisë, "ëndërr e së cilës mbetet ideja e botës serbe".
“Sulmi i 24 shatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën. Fatkeqësisht politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, e Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta”, theksoi Osmani.
Rruga drejt sigurisë së vendit, Osmani tha se është ajo e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sipas saj, situata sikurse ajo e 24 shtatorit nuk duhet t’i ndajë shqiptarët në parti politike a në dallime ideologjike.
Duke folur për dialogun, Osmani tha se ky proces po bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të jokonstruktivitetit dhe pengesave të Serbisë, e cila dëshiron të shkaktojë destabilizim jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Mungesa e balancimit dhe qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet të vazhdojë të përdorë dhunë. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vetë kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi”, theksoi Osmani.
Osmani tha se Kosova nuk mund të pajtohet gjithmonë me bashkësinë ndërkombëtare për çdo çështje, por theksoi se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me respekt të ndërsjellë.
Ajo po ashtu ka theksuar se Kosova duhet të qëndrojë gjithmonë pranë Shqipërisë, pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë.
Osmani ka bërë thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bashkohen të gjithë pa dallime partiake për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca ekzekutive.
Ajo ka folur edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, ku theksoi se ka qenë e pafalshme që për vite procedurat për marrje të shtetësisë për shqiptarët nga Lugina, kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë nga kontinentet e largëta.
Në këtë seancë morën pjesë ambasadorët e vendeve të rajonit dhe BE-së, si dhe ai i ShBA-së.