Kryetari i veriut të Mitrovicës, Erden Atiq, ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës të takojnë politikanët e zgjedhur në mënyrë që të arrijnë bashkëpunimin.
Para gazetarëve, Atiq ka thënë se angazhimin më të madh do ta kenë në normalizimin e kësaj pjese të vendit.
“Unë si kryetar komune, me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh kemi për ta bërë për normalizuar këtë pjesë të komunës edhe u bëj ftesë të gjithë qytetarëve të vijnë të na takojnë dhe të na vizitojnë këtu dhe të bashkëpunojnë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të bëjnë përpjekje të lehtësojnë jetën e qytetarëve duke zgjidhur problemet të cilat ata i konsiderojnë.
Lista Serbe pas 1 qershorit paralajmëron rezistencë
Pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përfaqësues të Listës Serbe e cilësuan si okupim të kësaj komune. Sipas tyre, Albin Kurti duhet të ndalë përndjekjen e serbëve, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës.
Ish-deputeti i kësaj liste, Igor Simiq, doli në një konferencë për media, së bashku me katër ish-kryetarët e komunave në veri të vendit. Nga aty, Simiq foli për rezistencën e tyre pas 1 qershorit, pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.
“Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqen, por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndalojë represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës”, tha Simiq pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.
Ai përseriti se serbët nuk kanë asgjë kundër shqiptarëve, por kundër qasjes së kryeministrit Kurti ndaj serbëve.