BE-ja i kërkon Kosovës të ketë prioritet reformën në administratën publike / Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Reforma në Administratën Publike është çelësi kyç për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha sot Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sunyog tha se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me mënyrën e miratimit të dy ligjeve, Ligjin për Paga dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, pa konsultime më të gjera dhe duke mos marrë parasysh komentet dhe vërejtjet e Brukselit.

“Reforma në Administrata publike është një çelës kyç për t’u bashkuar në BE ku ofrohen shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset. Dy miratime që janë bërë vitin e kaluar për sa i takon Ligjit për Paga dhe Ligjit për Zyrtarë Publikë, dua të shpreh qëndrimin kundër. Ne nuk pajtohemi që këto ligje janë bërë në procedurë të shpejtë. Ato duhet të konsultohen më palët e interesit dhe kjo nuk është bërë”, tha Tomas Szunyog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana tjetër ka theksuar se reformimi i administratës shtetërore ishte urgjencë gjatë qeverisjes së tij. Ai tha se reforma rrënjësore e nisur në administratë do të sjellë efikasitet, transparencë dhe llogaridhënie.

“Republika e Kosovës qartazi e ka treguar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kemi ndërmarrë barrën e reformimit të sektorëve publikë përfshirë këtu edhe reformimin e Administratës Publike”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Szunyog, po marrin pjesë në konferencën vjetore “Par Progresi Kosovës 2023” të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

TRT Balkan / agjencitë