Blair: Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm e kosovarëve, por për të gjithë / Photo: AA

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe gjatë kohës së luftës në Kosovë 1998-99, Tony Blair, i cili po zhvillon takime zyrtare në Prishtinë, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalim me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Blair më herët u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ndërsa deklaroi para deputetëve se ndihet shumë i nderuar që ndodhet në Prishtinë.

Ai tha se 25 vjet më parë u arrit një marrëveshje e cila e çliroi më në fund Kosovën dhe u mundësoi qytetarëve të saj të jetojnë dhe shpresojnë përsëri.

Ish-kryeministri britanik tha se "nuk është penduar për ndihmën e dhënë në Kosovë".

"Për mua, lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë ne...Dhe në një botë e cila është kaq e varur sot, ku siç mund ta shohim me konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, ka shumë shtresa dhe lidhje midis asaj që ndodh në një arenë dhe asaj që ndodh në vende shumë larg nga ana e asaj arene", theksoi Blair.

Sipas Ish-kryeministrit, Kosova ende përballet me shumë sfida dhe shumë vende akoma nuk e njohin Kosovën.

"Le ta imagjinojmë për një moment të ardhmen. Imagjinoni Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian. Imagjinoni paqe të brendshme në vend dhe njohje ndërkombëtare jasht. Imagjinoni që rinia e talentuar e Kosovës brenda saj si pjesë e komuniteti evropian të ndihmojë në zhvillimin e inovacionit në teknologji që po e transformon botën", theksoi Blair.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, pritet që të nderohet me "Çelësin e qytetit", ndërkohë pak më vonë do të mbahet edhe ceremonia e dhënies së titullit "Qytetar Nderi i Kryeqytetit".

Është hera e tretë që nga paslufta që Blair viziton Kosovën.

Ish kryeministri ishte një ndër figurat më të rëndësishme i cili ndikoi që të ndodhte intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës.

AA