Borrell bisedon me Kurtin dhe Vuçiqin, dënoi ashpër agresionin në Veri / Photo: AA

Komisari i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pas sulmit të sotëm ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një oficer dhe u plagosën tre të tjerë.

"Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm ndaj policëve të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi ashpër agresionin e sotëm. Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët e policit që humbi jetën e tij në detyrë, dhe të lënduarve e punonjësve të policisë u uroi shërim të shpejtë”, thuhet në një deklaratë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Borrell e ka telefonuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai përsëriti thirrjen drejtuar sulmuesve që menjëherë të dorëzohen dhe të lirojnë besimtarët në Manastirin e Banjskës, në mënyrë që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit.

“EULEX-i po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në njoftimin e EEAS-it.

AA