Me duartrokitje është pritur nga parlamenti i Kosovës, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko.
Ai në seancën e sotme ka mbajtur fjalim para deputetëve, ku ka garantuar se do të punojë për njohjen e Kosovës. “Kosova është Evropa” ka thënë ai, derisa ka shtuar se edhe në Këshillin e Evropës do të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare me të drejta të plota.
Para fillimit të seancës plenare, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të punojë për njohjen nga Ukraina.
“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse ju keni luftuar për lirinë tuaj, ju jeni një shtet i pavarur. Unë do të bëj çfarëdo që është në fuqinë time që t’ ju ndihmoj me këtë. Në parlamentin ukrainas kemi organizuar një kauzë për miqtë e Kosovës dhe unë kam nderin që të jem kryetari i kësaj kauze”, ka deklaruar Goncharenko.
Ai shtoi se Kosova mund të llogarit në çdo moment në mbështetjen e Ukrainës.
“Edhe si anëtar të Parlamentit të Këshillit të Evropës, si zëvendës president i Komisionit për Refugjatët dhe Migrim në Këshillin e Evropës dua t’ ju siguroj se unë aty do të bëj çfarëdo që është e mundur që të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota sa më parë që është e mundur. Kosova është Evropa, unë besoj në këtë”, ka deklaruar ai para Kuvendit të Kosovës.
Ai ka shtuar se Kosova e pavarur e shkatërron ëndrrën e Jugosllavisë së re. Sipas tij, njerëzit nga Ukraina janë të fortë dhe do të dalin fitimtarë nga invazioni rus.
Më tutje Goncharenko kërkoi që Kosova ta cilësoj si terroriste regjimin rus.
“Unë erdha nga Brukseli dje dhe dua t’ ju them që në fund të nëntorit, Parlamenti Evropian do të votojë për cilësuar si regjim terrorist, regjimin rus. Dhe Këshilli i Evropës e ka bërë këtë në tetor. Dje është bërë nga senati në Poloni dhe kërkoj edhe nga ju ta bëni një gjë të tillë. Që ta cilësoni këtë regjim rus si një regjim terrorist, i cili është duke bërë një gjenocid kundër ukrainasve dhe kjo është një fakt. Dhe dua të ju them që ne kemi shumë gjëra të përbashkëta”, ka shtuar ai.
Deputeti ukrainas gjatë këtij muaji para Këshillit të Evropës ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet mos-njohëse.