Me rastin e 30 Gushtit - Festës së Fitores së Republikës së Türkiyes, në Rezidencën e Ambasadës Turke në Prishtinë është organizuar pritje zyrtare.
Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Kosovë, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë të huaj, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve turke dhe vendore.
Ambasadori i Türkiyes në Kosovë Sabri Tunç Angılı tha se në këtë ditë nuk festohet vetëm një fitore ushtarake, por se "kjo është një faqe e lavdishme në historinë moderne të Türkiyes".
Ambasadori tha se luftërat ia vlejnë vetëm nëse do të çonin në një paqe të drejtë.
"Pas luftës sonë të pavarësisë, ne negociuam dhe nënshkruam Traktatin e Paqes së Lozanës me fuqitë e mëdha të asaj kohe. Traktati i Lozanës vendosi kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Republikës së Türkiyes dhe për rrjedhojë kombi ynë ishte bërë një anëtar i respektuar i familjes së kombeve", theksoi Angılı duke shtuar se sot ky traktat mbush 100 vjet.
Ai tha se Dita e Fitores kujton se duhet guxim jo vetëm për të bërë një luftë të mirë në fushën e betejës, por edhe për të arritur një paqe të qëndrueshme në tryezën e diplomacisë.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori Angılı lexoi edhe fjalën e rastit nga presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Më 30 gusht, Türkiye shënon festën kombëtare Dita e Fitores, kushtuar fitores së madhe të arritur nga forcat turke pikërisht 101 vjet me aktivitete dhe programe të veçanta në mbarë vendin.
Së bashku me Ditën e Fitores, Türkiye sot feston edhe Ditën e Forcave të Armatosura.