Nga viti 2021, policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona, ndërsa janë ngritur 32 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë në vepra që lidhen me trafikimin e njerëzve.     Foto: AA

Ministria e Brendshme e Kosovës filloi sot fushatën për vetëdijesimin kundër trafikimit me qenie njerëzore, në Ditën e Bashkimit Evropian për Antitrafikim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në Kosovë statistikat mbi trafikimin me qeniet njerëzore janë të mangëta, por ato flasin se fuqizimi i grave dhe i vajzave është parakusht kryesor për luftimin e trafikimit me qeniet njerëzore.
Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë dhe sundimit të ligjit nuk është vetëm vullnet politik, por edhe nevojë për bashkërendimin e veprimeve për siguri dhe kundër trafikimit me njerëz.
“Anëtarësimi ynë në veçanti në Interpol dhe në Këshillin e Evropës do të vuloste përpjekjet tona kolektive për luftim të krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikantëve në gjithë Ballkanin Perëndimor. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës në veçanti do të fuqizonte përpjekjet tona për përparim të mëtejmë duke i dhënë mundësi edhe miratimit të masave e procedurave të veçanta për identifikimin e viktimave të trafikimit dhe ofrimin e ndihmës së duhur”, theksoi Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë shënuar 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza nga të cilat 11 nën moshën 18-vjeçare.
Ai tha se luftimi i krimit të trafikimit me qenie njerëzore është urgjent dhe i domosdoshëm.
“Eliminimi është i vështirë, por angazhimi i Qeverisë së Kosovës është që të bëjë përpjekjen maksimale në plotësimin e të gjitha standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore”, theksoi Kurti.
Nga viti 2021, policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona, ndërsa janë ngritur 32 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë në vepra që lidhen me trafikimin e njerëzve. 86 për qind e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza, ndërkohë që më shumë se 60 për qind e tyre janë nën moshën 18-vjeçare.
Çdo vit rreth 25 milionë njerëz, të rritur dhe fëmijë të të dyja gjinive janë viktima të trafikimit. Pothuajse rreth tri të katërtat e të gjitha viktimave brenda BE-së janë gra dhe vajza të mitura të trafikuara kryesisht me qëllim të dhunimit seksual.

AA