Hakerët nga Rusia kanë sulmuar gjatë ditës disa faqe të institucioneve të Kosovës.
Sipas njoftimit nga qeveria e Kosovës, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe e Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se kjo ka ndodhur pas deklaratave të tij kundër Rusisë.
“Ky grup i hakëreve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes "Defense 24".
Në reagimin e hakerëve rusë përmendet edhe fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.
“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojmë më shumë për këtë”, kanë shkruar rusisht këta hakerë duke përmendur ministrin Maqedonci.
Më herët është raportuar se në shënjestër të hakerëve rusë ka qenë edhe faqja e internetit e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.