Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim kryeministrin e Holandës Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut Xavier Bettel.
Në konferencën për media, Kurti tha se dëshiron zgjidhje evropiane lidhur me dialogun me Serbinë, dhe për dëshirojnë zbatimin “e plotë, pa vonesa dhe pa kushte” të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të Zbatimit të 17 marsit.
"Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për BE-në që të shtyjë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor", theksoi Kurti.
Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel, i kanë përcjellë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimet e tyre lidhur me tensionet në veri të Kosovës dhe kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.
Kryeministri Rutte deklaroi se Holanda përkrah Kosovën dhe Serbinë në rrugën e dialogut, me qëllim të normalizimit të raporteve.
"Stabiliteti rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sot shprehëm shqetësimin tonë për rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu po përpiqen të kapërcejnë situatën nëpërmjet dialogut dhe të normalizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Besoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit, por edhe për përparimin drejt integrimit në BE", tha Rutte.
Kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se nuk do të ketë fitues në fund nëse do të ketë konflikt. Ai ka deklaruar se Luksemburgu dëshiron të ndihmojë dhe t'i dëgjojë palët, derisa ka theksuar se nevojitet dialog i hapur mes Kosovës dhe Serbisë.
"Kur është planifikuar ky udhëtim nuk e kemi ditur që do të ketë tensione përsëri, siç janë aktualisht. Ne nuk jemi këtu për të gjykuar, por për të dëgjuar dhe për t'u përpjekur në ndërtimin e urave të cilat ndonjëherë nuk janë të lehta të ndërtohen midis fqinjsh. Ne dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog e ai është emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell. Dhe këto janë për ne hapa të rëndësishëm për t'i ndërmarrë", theksoi Bettel.
Kryeministrat Rutte dhe Buttel, të cilët vijnë në Prishtinë pas vizitës zyrtare në Beograd, u pritën në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa gjatë ditës do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të mediave dhe organizatave joqeveritare.