Hovenier: Kurti nuk është koordinuar me ShBA-në për veprimet në veri / Photo: AA

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23”, si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Ai ka deklaruar se janë duke menduar për implikime të tjera, ndërsa ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me ShBA-të për veprimet në pjesën veriore të vendit.

Ambasadori amerikan ka theksuar dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët e zgjedhur të punojnë nga ndërtesat komunale, si dhe të tërheqë zyrtarët policorë nga ndërtesat e komunave.

Këto komente diplomati amerikan i ka bërë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë.

Hovenier ka theksuar sa janë të brengosur për situatën në veri.

"Operacioni që ka ndodhur të premten, për të siguruar qasje me dhunë në ndërtesat komunale, ishte i pakoordinuar me ShBA-në. Kur e kuptuam që kjo po ndodh, këshilluam që kjo të ndalet sepse i parashikuam pasojat të cilat po i shohim tash. Besojmë që kjo ka pasur pasoja negative për reputacionin e Kosovës, e ka kthyer prapa procesin e avancimit dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar është indikacioni i parë për këtë.

“Sot nuk pati aktivitete të Defender 23 dhe as nuk do të ketë. Për Kosovën ky ushtrim ka marrë fund. Jemi duke menduar për implikime tjera. Më duhet të them që në këtë moment i kemi kërkuar kryeministrit Kurti të marrë hapa urgjentë që të arrijë deeskalim në veri. Nuk ka reaguar ndaj këtyre kërkesave tona", ka thënë ai.

Mes të tjerash, ambasadori amerikan ka shtuar se janë duke menduar se cilat do të jenë veprimet e tyre të mëtejshme.

"Në këtë moment nuk do të gjeni shumë entuziazëm prej anës së ShBA-së të reagojë ndaj interesave të tjera të Kosovës, si për shembull, të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shpresojnë që “kryeministri Kurti e dëgjon këshillën e tyre dhe do të ndërmerrë menjëherë masa që ta shtendosë situatën në veri”.

“Ne mendojmë që kjo situatë është urgjente. Kjo është një situatë e tillë, ta krahasoj, sikur ta kesh shtëpinë në flakë. Së pari duhet ta ndalësh zjarrin. Pra, ShBA-ja nuk do të ketë shumë durim për të pritur të ndërrmerren veprime për te deeskaluar situatën në veri", ka thënë Hovenier.

Sipas tij janë dy gjëra që po e lusim qeverinë e Kosovës t’i bëjë.

"Ne besojmë që qeveria s’duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë prej ndërtesave të komunave. Qeveria ishte e aftë të gjejë ndërtesa të tjera administrative ku këta kryetarë e dhanë betimin e tyre. Ne nuk mund të kuptojmë pse qeveria nuk po mund t’i përdorë mu këto lokacione të tjera alternative, pra ndërtesat e tjera publike, që ata të vazhdojnë funksionet e tyre administrative", ka deklaruar ai.

Mendimi i ambasadorit Hovenier është se kryetarët e këtyre komunave nuk kanë mandat të fortë prej elektoratit të tyre që të ndërmarrin iniciativa të mëdha.

"Besojmë që prezenca e Policisë së Kosovës, që ka ardhur aty me forcë, ishte jashtëzakonisht sfiduese, kështu që e kemi lutur qeverinë e Kosovës ta tërheqë Policinë prej tri ndërtesave komunale. Ne mendojmë që kjo do ta deeskalojë situatën”, ka thënë Hovenier.

Ndryshe, si rezultat i tensioneve të fundit në Kosovë, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi se do të dërgohet një kontingjent prej 700 trupave shtesë.


TRT Balkan / agjencitë