Portugalia është një nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt 2008.     Foto: AA

Në Portugali ka konsensus të gjerë për t’i ndihmuar Kosovës për liberalizimin e vizave, integrimet euro-atlantike dhe përfitimin e njohjeve të reja, sidomos nga shtetet që flasin gjuhën portugeze. Kjo u tha pas takimit të Komisioneve parlamentare të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Portugalisë sot në Prishtinë.
Pas takimit, në një konferencë për media, kreu i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, tha se takimi është në vazhdën e një raporti të shkëlqyer të ndërtuar ndër vite midis dy republikave.
“Biseduam për marrëdhëniet bilaterale, për prioritetet e Republikës së Kosovës në politikën e jashtme që janë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimi në NATO si pjesë e sigurisë së kontinentit evropian. Të gjitha këto janë të përbashkëta me Portugalinë, kërkuam në mënyrë specifike që Portugalia të na ndihmojë dhe të na përkrahë në këtë rrugëtim tonin, meqë ndajmë vlera të përbashkëta të demokracisë dhe sigurisë së kontinentit evropian”, theksoi Abazi.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Portugalisë, Sergio Sousa Pinto, tha se në Kosovë ka prezencë disavjeçare të trupave ushtarake portugeze në kuadër të KFOR-it, ndërsa shtoi se solidaritetin, miqësinë dhe mbështetjen ta shtrijnë edhe në rrafshin politik.
“Ne mbështesim procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e cila ka qenë një rrugë e gjatë për Kosovën dhe jemi për përshpejtimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Kosovës është e lidhur me ne, me Bashkimin Evropian, interesat tona janë të përbashkëta dhe Kosova do ta marrë nga Portugalia gjithë ndihmën diplomatike për të cilën ka nevojë”, tha Pinto.
Në vizitën e tyre treditore, ky delegacion do të pritet edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Portugalia është një nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt 2008.
Aktualisht ky shtet ka rreth 250 trupa që shërbejnë në Kosovë si paqeruajtës në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

AA