KFOR-i: 30 paqeruajtës u plagosën dje në Zveçan / Foto: AA

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30.

Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se 11 ushtarë janë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez.

"Ushtarët kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë fraktura dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën", thuhet në njoftim.

Misioni i KFOR-it ka shtuar praninë në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.

"Trupat e KFOR-it u sulmuan nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda rregullave strikte të angazhimit. Në këtë rast, KFOR-i iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve si dhe familjeve e tyre.

"Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe të shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme", thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Gjithashtu, KFOR-i ka shprehur përkushtimin për të vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt si dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

AA