Komandant i 27-të i KFOR-it është përzgjedhur gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia. Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, gjeneralmajori i ushtrisë hungareze, i cili deri sot ishte komandant i KFOR-it, Ferenc Kajari u shpreh i habitur se sa shpejt ka kaluar koha prej kur mori këtë pozitë.
Gjeneralmajori Kajari tha se marrëdhëniet me institucionet e Kosovës ishin shumë të mira.
“Në nivel lokal, marrëdhënia me institucionet në Kosovë ishte shumë mirë e trajtuar, partnerët ishin gjithmonë të gatshëm të takoheshin dhe të bashkëpunonin edhe pas njoftimit për një kohë të shkurtër – gjë që shpesh ishte e nevojshme. Aktorët ndërkombëtarë dhe kolegët e mi krerë të misioneve, si dhe ambasadorët dhanë mbështetje të jashtëzakonshme dhe besoj se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit ishte kyç gjatë periudhave më sfiduese”, shtoi ai.
Gjeneralmajori hungarez në këtë ceremoni u shpreh se secili person në Shtabin e KFOR-it e bëri mision të tij personal që të kenë sukses.
Ndërkaq, komandanti i 27-të i KFOR-it, i sapoemëruari gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia fjalimin e tij të parë në këtë pozitë e filloi duke kujtuar të gjithë të rënët jo vetëm pjesëtarë të këtij misioni, por edhe të gjithë familjarët e viktimat e rënë në konflikte në rajonin e Ballkanit.
Ristuccia tha se sakrifica që kanë bërë ata meriton angazhimin e tyre për të garantuar paqe siguri dhe stabilitet.
“KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë mbështetur zhvillimin e një dialogu konstruktiv ndërmjet palëve. Ato janë pasuri të çmuara, të vlefshme dhe të panegociueshme. Ky angazhim nuk duhet harruar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Komandanti i sapoemëruar i KFOR-it, u zotua se me përkushtim të plotë do t’i përmbushë detyrat e tij të përcaktuara në këtë mandat.
“Falënderoj Autoritetet Politike e Ushtarake Italiane dhe ato shumëkombëshe, që më kanë besuar këtë detyrë. I siguroj ata se jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe sfidat e mëdha me të cilat duhet të përballemi. Jam i sigurt në mbështetjen e tyre, por i siguroj se këto sfida do t’i kthejmë në mundësi me transparencë, paanshmëri, vendosmëri, konsistencë me mandatin, në sinergji me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe EUSR-në për Kosovën, EULEX-in, UNMIK-un, OSBE-në, dhe në konsultime të ngushta me organizatat e sigurisë së Kosovës, shefin e Mbrojtjes së Serbisë dhe aktorë të tjerë në rajon”, përfundoi Ristuccia.
10 Tet 2022
KFOR-i emëron komandantin e ri, gjeneralmajorin italian, Ristuccia
Në vend të gjeneralmajorit hungarez Ferenc Kajari, në pozitën e tij si komandant i KFOR-it u emërua gjeneralmajori italian Angelo Michele Ristuccia.
Kosova Press
Lajme të ngjashme
Kurti: Dënim maksimal për vrasësit e Liridonës dhe 14-vjeçares në Shkup
Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë.
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.