KFOR-i: Hapja e Urës së Ibrit në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi Lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të procesit të dialogut Kosvoë-Serbi në Bruksel.

Në një njoftim për media, KFOR-i bëri të ditur se komandanti i këtij misioni të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.

“Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në qëndrimin e publikuar nga KFOR-i.

KFOR-i ka thënë se njësitet e saj mbajnë prani të përhershme dhe fikse në urë dhe do të vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri.

“Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, thuhet tutje në reagim.

Dy ministrat e Qeverisë së Kosovës, ai i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe zëvendësministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë inspektuar dje Urën e Ibrit, të cilën Qeveria e Kosovës planifikon ta hapë për qarkullim së shpejti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë një deklarate për media ka thënë se hapja e urës është çështje e vlerësimit të ekspertëve.

“Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye të mos hapet, se kur do të hapet kjo është çështje që vlerësohet nga ekspertët”, ka thënë Sveçla.

TRT Balkan / agjencitë