Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se një grup prej qindra personash po trajnohen dhe po përgatiten në Serbi për një sulm tjetër në Kosovë.
Megjithatë, Konjufca tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme për çfarëdo lloj sfide.
“Institucionet tona kanë informacione të sakta se qindra persona po ushtrohen, po përgatiten për ndonjë sulm eventual. Por, ne jemi gjithmonë, dhe institucionet tona të sigurisë janë vigjilente dhe të përballemi me çka do që vjen nga Serbia, dhe me një koordinim edhe me institucionet ndërkombëtare dhe ushtarake që veprojnë në Kosovë”, theksoi Konjufca.
Këto komente ai i bëri në konferencë për medie së bashku me homologen e saj nga Sllovenia, ndërsa shtoi se institucionet e Kosovës qëndrojnë të unifikuara sa u përket tri kushteve të paraqitura kryeministri Kurti në dialog.
Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič, tha se janë të përkushtuar për stabilitetin e Kosovës.
Ajo tha se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të përkushtuara në dialog, derisa nënvizoi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës.