Konjufca priti në takim kryetarin e KPJ-së të parlamentit turk / Foto: AA

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Türkiyes, Fuat Oktay.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, në këtë takim u diskutua për çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët, bashkëpunimin ndërparlamentar, ekonomik e tregtar dhe në fushën e politikës së jashtme, si dhe u këmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve të fundit rajonale dhe aktualiteteve në skenën ndërkombëtare.

“Biseda u fokusua në marrëdhëniet e veçanta dhe miqësore, që karakterizojnë dy vendet tona, dhe u shpreh vullneti i dyanshëm për t'i intensifikuar ato në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit”, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, bëhet e ditur se kryetari Konjufca vlerësoi lart dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Türkiye i ka dhënë Kosovës para dhe gjatë luftës, si dhe gjatë procesit të shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione e organizata ndërkombëtare.

Ai njëherësh e njoftoi Oktayin në lidhje me punën dhe prioritetet e legjislativit, zhvillimin e gjithmbarshëm dhe sfidat e shtetit kosovar në rrugëtimin integrues.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i parlamentit turk, i cili deri para pak muajsh ka shërbyer si Nënpresident i Türkiyes, Fuat Oktay, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë për fuqizimin e raporteve të ndërsjella, si dhe vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij ndaj Republikës së Kosovës.

AA