Grupi Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka zhvilluar takimin e radhës në Qeverinë e Kosovës.
Zv/ministri i Jashtëm Kreshnik Ahmeti tha se që nga momenti i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës procesi ka pasur hapa të suksesshëm. Ai tha se Kosova është afër përmbylljes së 2/3 të rrugëtimit të saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
"Raporti përfundimtar i juristëve eminentë, i cili tashmë është publikuar dhe i cili ka për qëllim të trajtojë nëse sistemi ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoi një gjë të tillë. Duke theksuar që, përveç se Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës, ajo në shumë çështje edhe i tejkalon standardet ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tretë përgjatë këtij procesi të anëtarësimit, fitore e cila tregon se nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, ose për ta vonuar këtë anëtarësim", theksoi Ahmeti.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci tha se delegacioni parlamentar i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është i unifikuar dhe përbëhet nga përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare.
"Si vend mendoj se kemi dëshmuar shumë mirë duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që kemi në fuqi, qëndrojmë shumë më mirë edhe se plot vende anëtare në Këshillin e Evropës. Kjo jo vetëm në aspektin e dëshmisë tani me juristët eminentë, por në pika të ndryshme dhe gjatë diskutimeve që bëhen brenda Asamblesë Parlamentare shihet që ne qëndrojmë shumë më mirë si vend", theksoi Bogujevci.
Më 27 shtator 2023 u publikua raporti ekspertëve eminentë rreth përputhjes së sistemit ligjor të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës, ku sqaroi disa pika, ndër to nuk parashihte asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gjithashtu, ky raport ka bërë të ditur se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës, nuk e pengon anëtarësimin e saj në këtë këshill.