Kosova e gatshme për regjistrimin e popullsisë / Photo: AA

Agjencia Statistikave të Kosovës (ASK) bashkë me institucionet e tjera relevante që kanë marrë përgjegjësi në procesin e regjistrimit të popullsisë i cili fillon më 5 prill dhe zgjat deri më 17 maj 2024, janë shprehur të gatshme për fillimin e këtij procesi.

Nëpërmjet një konference për media në zyrat e ASK-së, u hap zyrtarisht fushata për komunikim dhe sensibilizim për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se buxheti për regjistrimin e popullsisë do të kushtojë rreth 12,6 milionë euro ndërsa financuesi kryesor do të jetë Qeveria e Kosovës, por do të ketë edhe ndihma ndërkombëtare.

Ai tha se në regjistrimin e popullsisë do të përfshihen edhe ata qytetarë që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë shtetësi kosovare, përjashtuar pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe misioneve diplomatike.

"Janë tri objektiva thelbësore që do të regjistrohen. Një është popullsia, pastaj ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat/shtëpitë dhe objektet fizike që janë mbi tokë për qëllime të ndryshme", theksoi Kastrati.

Sipas tij, në regjistrimin e popullsisë do të përfshihet edhe popullsia që jeton jashtë Kosovës ose diaspora. Kastrati shtoi se regjistrimi i popullsisë është proces kompleks në shumë aspekte, megjithatë, ai tha se institucioni i ASK-së, i ka kryer të gjitha përgatitjet teknike dhe do t’i publikojë të dhënat preliminare të nxjerra nga ky proces "tre muaj pas regjistrimit në terren", ndërsa të dhënat finale nëntë muaj pas përfundimit të regjistrimit.

Të dhënat e regjistrimit të popullsisë, në këtë konferencë, u tha se do të përdoren për qëllime të ndryshme dhe nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe gjithashtu do t'i dërgohen edhe Zyrës së Statistikave në Bashkimin Evropian – EUROSTAT.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë pritet të angazhohen 3.536 regjistrues, 891 mbikëqyrës si dhe rreth 40 deri 50 trajnues.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë.

Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

AA