Një ekip mjekësor vullnetar turk prej 13 personash, i përbërë nga instruktorë të kirurgjisë plastike, asistentë, infermierë të kirurgjisë dhe teknikë të kirurgjisë, do të kryejnë afërsisht 50 operacione në fushën e Kirurgjisë Plastike dhe Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale në Kosovë për një javë.
Ekipi vullnetar në përbërje prej 13 personash të cilët vijnë nga qytete të ndryshme të Türkiyes me koordinimin e Shoqatës "Interplast Türkiye", bashkëpunimin dhe mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), erdhën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Në QKUK mjekët turq u takuan me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ambasadorin e Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, kryetarin e KDTP-së dhe ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe koordinatoren e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan.
Ministri Vitia falënderoi ekipin mjekësor nga Türkiye dhe shtetin mik turk për ndihmën dhe investimet e tyre, si dhe bashkëpunimin shumëvjeçar në fushën e shëndetësisë.
Vitia tha se profesionistët kosovarë të shëndetësisë do të kenë mundësi të zhvillohen profesionalisht në këtë proces.
"Si shtet dhe veçanërisht profesionistë të shëndetësisë, ne kemi nevojë për ekspertizën e jashtëzakonshme të shtetit mik turk. Unë besoj se ky do të jetë hapi i parë në një bashkëpunim të vazhdueshëm", tha ai.
Ambasadori Angılı po ashtu tha se një nga shtyllat më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes është shëndetësia.
"Ajo që mjekët turq do t'u bëjnë pacientëve kosovarë do të jetë e rëndësishme edhe në aspektin e fitimit të njohurive dhe përvojës së mjekëve. Këtu do të jetë edhe një investim në të ardhmen, por, meqenëse, ne e shohim Kosovën si vëllanë tonë, ne nuk flasim për këtë ndihmë", tha ai.
Ministri Damka po ashtu tha se do të vazhdojnë të punojnë për avancimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës në shumë fusha.
Kryesuesi i delegacionit ishte president i Shoqatës "Interplast Türkiye" dhe Drejtues i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Çukurova, Departamenti i Kirurgjisë Plastike Rikonstruktive dhe Estetike, Dr. Osman Metin Yavuz, i cili theksoi se planifikojnë të operojnë rreth 50 pacientë në Kosovë për një javë me një ekip prej 13 personash.
Në kuadër të bashkëpunimit synohet edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë turke dhe atyre kosovare.