Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Shqipërinë fqinje.
Ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, përmes një postimi në Facebook, pak pas mesnatës, ka theksuar se fluturimet për në perëndim dhe anasjelltas shkurtohen për së paku 15 minuta.
“Nga 1 janari bashkatdhetarët përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka shkruar Aliu.
Nga viti 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, ndërsa marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të kësaj të fundit, është arritur në vitin 2020.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës njoftoi se marrëveshja nuk ishte zbatuar më herët për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.