Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare me Danimarkën për dhënien me qira të Institucionit Korrektues në Gjilan me Qëllim të Ekzekutimit të Dënimeve Daneze.
Pas disa përpjekjeve të dështuara për miratimin e kësaj marrëveshjeje, 86 deputetë votuan pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim. Bazuar në marrëveshjen në fjalë, Danimarka pritet t'i sjellë në Institucionin Korrektues në Gjilan rreth 300 të burgosur danezë.
Marrëveshja do të vlejë për 10 vjet, ndërsa Kosova do të marrë 210 milionë euro. Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje pritet të bëhen renovime në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ku do të vendosen të burgosurit nga Danimarka e më pas për një gjë të tillë Kosova do t'i informojë institucionet daneze.
Letër-pëlqimi për dërgimin e rreth 300 të burgosurve danezë në Kosovë u nënshkrua nga Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill 2022 ai u shndërrua në traktat, por deri më sot nuk arriti të ratifikohej në Kuvend, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme nga deputetët.
Sipas marrëveshjes, Danimarka nuk do të dërgojë në Kosovë të burgosur të cilët janë të dënuar për vepra terroriste, për krime të luftës apo të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut. Po ashtu, parashihet që, të burgosurit, pasi ta kenë vuajtur dënimin, do të dëbohen nga Kosova.
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20 për qind nga viti 2015.