Procesi regjistrimit të popullsisë në Kosovë po shkon me rregull kur kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë deri në përfundimin e këtij procesi, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, tha se procesi po i afrohet fundit dhe deri më tani nuk ka telashe në aspektin teknik dhe profesional në terren.
Ai tha se deri më tani janë regjistruar mbi 1,2 milion banorë.
"Në të gjitha komunat e Kosovës ka regjistrim. Të gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë. Në disa komuna në veri, nga komuniteti serb ka ende një hezitim, por ka edhe një regjistrim në anën tjetër nga komuniteti serb në pjesën veriore. Një pjesë e tyre janë duke u regjistruar dhe besojmë se në këto ditë që kanë mbetur do të regjistrohen edhe një pjesë që ka shprehur gatishmërinë për t'u regjistruar", theksoi Kastrati.
Ai sqaroi se ASK-ja ka një sistem të monitorimit ku çdo ditë e monitorojmë çdo monitorues, çdo mbikëqyrës, çdo komunë dhe në përgjithësi në nivel të Kosovës. “Sistemi i zhvilluar i monitorimit na ka ndihmuar ne që ta shohim secilën zonë, vendbanim a komunë në nivel të Kosovës se si po ecën procesi. Pra, në përgjithësi deri më tani, nëse vazhdon kështu procesi, do të dalë i suksesshëm", theksoi Kastrati.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar më 5 prill 2024 dhe vazhdon deri më 17 maj 2024.