Nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme që do të mund të përdoret për transaksionet e pagesave me para në dorë dhe në sistemin e pagesave në Kosovë do të jetë euro.
Kështu ka vendosur Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 27 dhjetor 2023 dhe e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa u përket valutave të tjera, Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Ky vendim ka shkaktuar menjëherë edhe reagimin e Beogradit zyrtar marrë parasysh fatkin se deri më tani dinari serb është përdorur në Kosovë në zonat ku jeton popullata me shumicë serbe, të cilët marrin paga, pensione, ndihma sociale apo lloje të tjera të kompensimeve nga buxheti i Republikës së Serbisë.
Nga Davosi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se njoftimet lidhur me ndërprerjen e transaksioneve të pagesave dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb paraqesin kërcënimin më serioz dhe më të rëndësishëm për dialogun deri më tani.
“I paralajmërova dhe kërkova ndihmë për të ndalur përpjekjen e Kurtit për të shkatërruar dialogun sepse Kurti dëshiron të pengojë pagesën e pagave dhe pensioneve për njerëzit tanë në shëndetësi dhe arsim, që do të nënkuptonte jo largim të heshtur, por me zë të lartë të serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.
Për vendimin e autoriteteve kosovare është i njoftuar edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në një prononcim për Radio Televizionin e Serbisë, Lajçak tha se e ka njoftuar Brukselin për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa u shpreh optimist se do të gjendet një zgjidhje që nuk do të ketë pasoja negative për palët.
Në mesin e vendimeve të tjera që ka marrë bordi i Bankës Qendrore është edhe ajo e ndalesës për riqarkullimin e kartmonedhës 500 euro.
Siç njofton BQK-ja, një gjë e tillë nuk ndalon qarkullimin ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës, mirëpo e njëjta (500 euro) nuk rikthehet në qarkullim nga institucionet financiare kur pranohet nga klientët.