Nga sot e deri më 17 maj në Kosovë do të zhvillohet procesi statistikor i regjistrimit të popullsisë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave. Refuzimi për për pjesëmarrje në regjistrim sipas ASK-së, mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.
“Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat tuaja të banimit dhe banesat/shtëpitë më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm”, thotë ASK-ja.
Pyetjet e zakonshme që parashtrohen në Regjistrim janë aplikuar edhe në ReKos 2024. Pyetësorët janë në harmoni me rekomandimet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga UNECE dhe Eurostat.
Pyetësorët e regjistrimit janë publikuar në uebfaqen e ASK-së dhe secili qytetar ka qasje për pyetjet që do të parashtrohen për qytetarët.
“Të gjithë qytetarët, që në periudhën ndërmjet 5 prillit deri më 17 maj 2024 qëndrojnë në Kosovë duhet të regjistrohen. Më pas, ASK-ja në bazë të kriterit të popullsisë së zakonshme rezidente do ta bëjë klasifikimin e personave rezidentë dhe jo rezidentë (gjatë kësaj periudhe mund të ketë numër të caktuar që regjistrohen, por që mund të jenë: turistë, punëtorë me punë te përkohshme nga shtetet e tjera, vizitë, ndonjë aktivitet kulturor a sportiv, kryesisht nga shtetet e tjetra)”, thekson ASK-ja.
Rreth regjistrimit të diasporës nga ASK-ja bëjnë të ditur se
për popullsinë e lindur në Kosovë ose kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës për më shumë se 12 muaj (ka një vendbanim-shtetet tjetër rezident) ata regjistrohen përmes një aplikacioni online.
Intervistimi i qytetarëve sipas ASK-së do të bëhet në gjuhën që e flasin komunitetet në Kosovë.