Kosovë, tërhiqen pakot me fletëvotime nga Shtutgarti, Podgorica e Vjena / Photo: ATA

Nën mbikëqyrjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani është realizuar sot tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart.

KQZ ka bërë me dije se po ashtu, janë tërhequr 80 pako me fletëvotime nga kutia postare në Podgoricë të Malit të Zi dhe 712 pako me fletëvotime nga kutia postare në Vjenë të Austrisë.

“Ky proces është kryer në praninë e vëzhguesve politikë dhe përfaqësuesve diplomatikë të autorizuar”, thuhet në njoftim.

Kjo mënyrë e votimit sipas zëdhënësi të KQZ-së Valmir Elezi, ka filluar nga 9 janari dhe do të përfundoj më 8 shkurt.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar edhe shtypja e fletëvotimeve, proces ky që po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.

Përveç fletëvotimeve, KQZ bën me dije se janë duke u shtypur edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Gjithsej do të shtypen 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

TRT Balkan / agjencitë