Kosovë, zhvillohet Panairi Ndërkombëtar "EXPOKOS" / Photo: AA

Edicioni i 23-të i Panairit Ndërkombëtar "EXPOKOS" po mbahet në Prishtinë, Kosovë. Panairi, i cili zhvillohet për të 23-tin vit radhazi ka si qëllim nxitjen në rritjen dhe inovacionin në sektorët e ndërtimit, energjisë, makinerisë, mbrojtjes e sigurisë, promovon bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në hapjen e panairit, u shpreh se panairët si ky janë të rëndësishëm për të njohur inovacionet në biznes, për krijimin e lidhjeve të reja dhe ndërtimin e partneriteteve afariste.

Sipas Kurtit në vitin 2023, industria e lehtë e përpunimit, përfshirë eksportin në pajisje elektrike, plastikë, dru dhe metal, ka përbërë mbi 43 për qind të eksporteve totale të Kosovës.

Ndërkaq, Kurti tha se industria e përpunimit të drurit dhe metalit premton mundësi për investime falë burimeve të pasura vendore dhe përvojës së konsoliduar të industrisë në Kosovë.

Kurti deklaroi se Kosova është një shembull i ndritur i hapjes së dyerve për të gjithë qytetarët e saj, për bizneset e huaja, pa marrë parasysh nacionalitetin apo besimin që kanë.

“Ne duam që bizneset të fitojnë në Kosovë, e Republika e Kosovës të përfitojë prej tyre", nënvizoi Kurti.

Organizatori i panairit "EXPOKOS" , Bekim Xhafa, theksoi se viteve të kaluara panairi ka qenë i përbërë me rreth 70 për qind kompani tregtare dhe pjesa tjetër me kompani prodhuese, ndërsa tani janë rreth 70 për qind kompani prodhuese dhe pjesa tjetër tregtare.

Panairi "EXPOKOS" ka shërbyer si model i promovimit dhe zhvillimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fokusi i këtij edicioni vazhdon të jetë promovimi i kompanive vendore, duke iu mundësuar krijimin e bashkëpunimeve të reja në panairin që gëzon besueshmërinë dhe reputacion në tregjet evropiane dhe më gjerë.

TRT Balkan / agjencitë