Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi     Foto:AA

Mosliberalizimi i vizave për kosovarët është padrejtësi e madhe, thotë kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Në një intervistë për AA-në, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Krasniqi thotë se për finalizimin e këtij procesi, sa herë ka qenë në pushtet partia e saj gjatë të kaluarës, ka punuar me përkushtim për çuarjen përpara të tij.

"Para samitit (BE-Ballkani Perëndimor) kemi parë deklaratat e krerëve që kanë qenë pozitive, mirëpo nuk ka pasur ndonjë veprim konkret. Kemi parë deklarata nga përfaqësuesit e Holandës dhe Francës mirëpo nuk pati veprime konkrete edhe pse ka pasur një pritje të madhe edhe pse shumica nga ne e kemi ditur se liberalizimi nuk kanë qenë në rend të ditës mirëpo tek qytetarët ajo ka ndikuar shumë keq ngase të gjithë dhanë deklarata optimiste dhe në fund nuk ndodhi asgjë", theksoi Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, thotë se sa më shpejtë të bëhet liberalizimi i vizave është më mirë për popullin kosovar, ndërsa sa më shumë të zgjatet ky proces do të jetë një padrejtësi më e madhe.

Duke iu kundërpërgjigjur deklaratës që komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i BE-së, Oliver Varhelyi i cili para disa ditësh tha se Komisioni Evropian është i gatshëm që, bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Krasniqi tha se Kosovës nuk i duhen kriteret shtesë për këtë proces.

"Pas deklaratës së dhënë nga komisionari Oliver, kemi vendosur që bashkë me kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, ta bëjmë një deklaratë të përbashkët të dy komisionet që Kosovës nuk i nevojitet më udhërrëfyes shtesë për kriteret e liberalizimit të vizave", bëri të ditur Krasniqi.

Ajo shton se edhe si kryetare e Komisionit për Integrim Evropian edhe si deputete e Kuvendit të Kosovës ka pasur takime me homologët në vende të ndryshme si në Kroaci dhe Suedi dhe kanë marrë gjithmonë mbështetje.

Nga samiti BE-Ballkani Perëndimor krerë të institucioneve të vendit por edhe qytetarët krijuan pritje se do të ndodhte ndonjë lëvizje përpara e procesit të liberalizimit të vizave, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Vetëm pak ditë pas këtij samiti, komisionarit për Zgjerim i BE-së, Varhelyi tha se Komisioni Evropian është i gatshëm që, bashkë me vendet anëtare, të përpilojë një udhërrëfyes shtesë për të adresuar disa shqetësime specifike, por Komisioni Evropian sqaroi se nuk ka planifikuar asnjë udhërrëfyes të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në, megjithëse që nga viti 2018, ka marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave, pasi Komisioni ka konkluduar se i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Komisioni vazhdon ta mbajë qëndrimin e njëjtë, por janë disa vende anëtare si Franca dhe Holanda, që deri më tash kanë shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

AA