Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar që asnjëherë nuk do të konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale.
Kurti ka thënë se për herë të parë që nga fillimi i dialogut me Serbinë, normalizimi nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim.
Ai ka thënë se procesi i ri ka sjellë një marrëveshje të re, për çka Kurti është shprehur i bindur që sjell hapje të re drejt rezultatit përfundimtar.
Për procesin e dialogut, Kurti ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë etno-nacionalizimin territorial, nuk e duron republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet e qeverisjes sonë progresiste. Siç kërkohet nga obligimet tona, do të fillojmë një proces të gjerë konsultimesh, edhe brenda Kosovës edhe me partnerët tanë, edhe me komunitetin joshumicë serb, edhe me pakicat e tjera, të cilët janë këtu në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë të diskutojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për këtë çështje. Unë kurr, e përsëris, kurrë, që do të thotë asnjëherë, askund, nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale”, ka thënë Kurti.
Ndërsa për kishën ortodokse serbe, Kurti kanë marrë përsipër të formalizojmë statusin e kishës ortodokse serbe në Kosovë dhe të ofrojmë një nivel të lartë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
“Nuk kam arsye që ta shmang dialogun me krerët e kishës ortodokse serbe për këtë qëllim, nuk do të hyjmë në dialog me qeverinë e Serbisë për këtë temë. Kjo nuk do të përbëjë asgjë të re, thjesht konfirmim i atyre garancive që tashmë ekzistojnë në sistemin tonë kushtetues e ligjor”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i shtojë angazhimet sipas marrëveshjes dhe aneksit në kushtet për avancimin drejt integrimit të mëtejmë në BE.
Mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia, siç deklaroi Kurti, nuk i ul detyrimet nga Bashkimi Evropian.