Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës se plani evropian përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra-tjetrës defakto. Ai konfirmoi se në parim e ka pranuar propozimin evropian, por duhet të negociohen detajet brenda marrëveshjes dhe planit të zbatimit.

Kurse, çështja e Asociacionit do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Kryeministri Kurti tha se Asociacioni mund të krijohet nëse plotësohet 6 parimet që i ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës.

“Pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra tjetrës defakto, plani kryesor nuk ka asnjë referencë për ndonjë asociacion, megjithëse u referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre dhe tash kur do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, aty qëndrimi im është se Asociacioni mund të krijohet nëse plotësohet 6-pikëshi ose 6 parimet që i kam paraqitur këtu një javë më parë”, tha ai.

Kurti po raporton në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi. Ai po kritikohet nga opozita për mënyrën se si janë zhvilluar bisedimet deri tani.

Kosova Press