Kurti: Asociacionin e komunave serbe nuk e lejon Kushtetuta / Foto: AA

Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa është në kundërshtim edhe me planin e Ahtisaarit. Kështu kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka thënë medias austriake Der Standard, në një intervistë të publikuar së fundmi.

Kurti tha se kërkesa e Serbisë për Asociacion të komunave me shumicë serbe i kujton atij zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë dhe themelimin e Republika Sërpskës.

“Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t'i referohem edhe Bosnjë e Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën, më 14 dhjetor 1995 kjo Republika Sërpska u njoh ndërkombëtarisht me traktat në Dejton të Ohajos”, ka thënë Kurti.

Ai ka potencuar se të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe të thuash çdo javë: ‘nuk do ta njoh shtetin e Kosovës’. Por, të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, ka thënë ndër të tjerash Kurti.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke shpresuar që të bëhet realitet deri në vitin 2024. Ai njoftoi edhe për planet e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në NATO, ndërsa tha se Kosova ka mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

TRT Balkan / agjencitë