Kurti bisedon me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Anthony Blinken / Foto: Kosovapress

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Anthony Blinken.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-së për Kosovën, si dhe e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë dhe të sundimit të ligjit.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për depërshkallëzim dhe normalizim, me ç'rast kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se kryeministri Kurti dhe sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan dhe veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit.

Po ashtu, Kurti dhe Blinken diskutuan edhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq dhe kërkesën e drejtë nga Departamenti i Shtetit Amerikan për lirim të menjëhershëm e pa kushte.

Të dy u pajtuan që të mbeten në "komunikim të rregullt dhe të dendur" në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

AA