Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë kritikuar projektbuxhetin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili e prezantoi buxhetin para deputetëve, tha se buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet në programin qeverisës sa u përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë, me më shumë vende të punës; për shëndetësi gjithëpërfshirëse me shërbime më të mira; arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë; e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.
"Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë rreth 370 milionë euro ose 22 për qind më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më së shumti ndonjëherë", theksoi Kurti.
Duke i ftuar deputetët që ta votojnë këtë projektbuxhet, Kurti tha se me të forcohet mbrojtja e Republikës, rritet siguria e qytetarëve dhe mundësohet zhvillimi i vendit e mirëqenia e popullit.
Debati parlamentar rreth projektbuxhetit për vitin 2024 po vazhdon ende në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për miratimin duhen shumica e thjeshtë parlamentare ose 61 vota.