Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se është i gatshëm për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Ai nënvizoi nevojën që marrëveshja bazë me Serbinë, por edhe aneksi i zbatimit të saj të zbatohen pa vonesa dhe në tërësi.
“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin ose ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe në tërësi”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, Kurti tha se fushata e egër e shantazhit dhe kërcënimit të Beogradit ndikoi në daljen e ulët në votime të qytetarëve në veri.
“Fushata e egër e Beogradit zyrtar, e cila u ekzekutua edhe nga elemente kriminale në terren në veri të Kosovës, pa dyshim se ishte fushatë e shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit, e cila për pasojë pati daljen e ulët të qytetarëve. Mua më vjen keq që parti të caktuara politike atje kanë ftuar për bojkot. Në fakt, thirrja nuk është e tyre, thirrja është e Beogradit, mirëpo të gjithë duhet të kenë parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria njëmend garantojnë liri dhe të drejta, por të njëjtën kohë sjellin përgjegjësi dhe obligime”, u shpreh Kurti.
Megjithatë, Kurti iu uroi fitoren kandidatëve për kryetar të komunave veriore, derisa tha se pret konsolidimin e shpejtë të institucioneve komunale atje.
Vuçiq nuk pret gjë nga takimi në Bruksel
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk pret asgjë nga raundi i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës më 2 maj në Bruksel.
“Nuk pres asgjë më 2 maj”, tha Vuçiq.