Kurti: Jam optimist për marrëveshje në Ohër / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh sot optimist se do të arrihet marrëveshja në takimin e 18 marsit në Ohër, megjithatë theksoi se kjo nuk varet vetëm nga ai.

Ai tha se plani i zbatimit për propozimin evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër.

“Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam ofruar që edhe në 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme dhe as e interesuar. Nëse ka pasur mossukses, asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ”, tha Kurti.

Kurti tha se Serbia përqendrohet te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ajo është vetëm një pjesë nga 39 marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ose Zajednicës siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10, njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt, kur kam shikuar tani së fundmi, bashkë me konkluzione që janë vënë në Bruksel, del që nga 2 korriku i vitit 2011 deri më 25 gusht të vitit 2015, janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe përbën 6 pikat e para të një marrëveshje 15-pikëshe e cila është e 16-ta prej 39”, potencoi Kurti.

Më 18 mars në Ohër do të takohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Gjatë ditëve të fundit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka qëndruar në Kosovë dhe në Serbi për të diskutuar për implementimin e planit nga propozimi evropian.


Kosova Press