Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se institucionet e Kosovës kanë identifikuar gjithsej 45 persona, të cilët, sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet që ndodhën në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë nga 26 maji.
Kryeministri Kurti u pyet nga gazetarët për shpërthimin e dëgjuar pas mesnatës te "Tre rrokaqiejt" në veri të Mitrovicës dhe veprimet që po ndërmerr qeveria për shtensionimin e situatës.
"Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona, identifikim i saktë, që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok-bombat, por edhe te plumbat qofshin ata të automatikëve ose revolverëve", tha ai.
Kurti tha se Qeveria është e brengosur, ndërsa qytetarët e zonës së veriut janë të frikësuar nga zhvillimet e fundit.
"Ne jemi më të brengosurit kur dëgjojmë për këto raste. Më të frikësuarit janë vetë qytetarët serbë të cilët neve na dërgojnë informacion mbështetës e përkrahës çdo herë kur vepron ligji sepse ata e dinë shumë mirë që Policia e Kosovës është profesionale e shumë-etnike", tha Kurti.
Lidhur me këtë shpërthim Policia e Kosovës deklaroi se ende nuk ka arritur ta konfirmojë saktë vendin ku është hedhur mjeti shpërthyes, por deklaroi se "nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale".
Kurti tha se për situatën në veri të Kosovës është në kontakt të përditshëm me Bashkimin Evropian. Ai tha se dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
"Jam i interesuar për deeskalim të situatës dhe për normalizim. Deeskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zmbraps këta kriminelë duke i detyruar të ballafaqohen me drejtësi ose edhe të shkojnë në Serbi", tha Kurti.
Ai shtoi se për normalizim duhet menjëherë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të nënshkruar në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë.
Kurti tha se nuk mund të llogaritet në zgjedhje të reja në katër komunat veriore me shumicë serbe në veri, nëse ka oferta që s’mund të refuzohen, si ato për ish-kandidatin për kryetar të Leposaviqit nga komuniteti serb, Aleksandar Jabllanoviq.