Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ka dërguar vërejtje për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor.
“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mia. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellë emisarit evropian nëpërmjet zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar, por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.
Shefi qeveritar, gjatë vizitës së tij në rajonin e Dukagjinit, nuk pranoi të japë detaje për takimin e djeshëm të zëvendësit të tij Besnik Bislimi me emisarin e BE-së për dialogun Mirsollav Lajçak.
Ai para gazetarëve tha se drafti i modernizuar për Asociacionin është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.
Kurti u pyet edhe për pakënaqësitë e dy njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët sot kishin paraparë sërish një protestë, por që e cila u pezullua.
Kreu qeveritar tha se kanë investuar mjaft shumë për zvogëlimin e rrezikshmërisë për policët, mirëpo do të takojë të njëjtit për të parë se si të vazhdohet tutje.