Shtyhen për 1 shtator masat e reciprocitetit / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet saktë dhe sa më shpejt. Ndërkohë që ka shtuar se me urgjencë është çështja e të pagjeturve në kuadër të saj.

Derisa ka komentuar deklaratën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel, se është urgjent themelimi i asociacionit, Kurti deklaroi se deklaratat politike nuk duhet të vendosen para marrëveshjes bazë.

Shefi i ekzekutivit para mediave tha se në Bruksel, më 4 prill, do të diskutohet çështja e zbatimit të marrëveshjes.

"Takimi në javën e parë të prillit, që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë ndërmjet meje si kryeministër dhe presidentin e Serbisë, por do të jetë ndërmjet kryenegociatorëve. Me 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë dhe publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj. Prandaj edhe do të organizohet një takim ndërmjet kryenegociatorve, ku nga ana e Republikës së Kosovës është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi”, ka thënë Kurti.

Ai është pyetur edhe në lidhje me urgjencën e përmendur nga Josep Borrel që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka mos të zbatohet. Ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm. Prandaj, marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë, duke marrë pjesët e preferuara”, tha kryeministri i Kosovës.

Kurti deklaroi se çështja që trajtohet me urgjencë në Marrëveshjen e Ohrit është çështja e të pagjeturve nga koha e luftës.

“Ndërkaq, te fjala juaj që e përdoret urgjencë, është pikërisht te fjalia e cila ka të bëjë me të pagjeturit, përkatësisht me të zhdukurit me dhunë... lexojeni tekstin, deklaratat politike të kujtdo qoftë janë për t'i shërbyer procesit. Mirëpo, tash keni një marrëveshje, nuk keni nevojë të vendosni asnjë deklaratë e as prononcim publik politik të askujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë ose të aneksit të zbatimit. Edhe një herë po e ritheksoj, fjala urgjencë është te çështja e të pagjeturve", ka përfunduar Kurti.

Kosova Press