Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi sot se është i domosdoshëm korrigjimi i gabimit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, sipas tij braktisi diskutimin për normalizim të marrëdhënieve dhe u fokusua vetëm tek çështja e targave. Duke folur për takimin e së hënës në Bruksel, Kurti tha se Borrell e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian, duke thënë le të kemi një dakordim për targat.
“Korrigjimi i gabimit të zotëri Borrell është i domosdoshëm. Ai është gabim i madh, që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët të flasin dhe dakordohen për targa, që dorën në zemër as ai në Serbi dhe unë në Kosovë nuk jemi më kompetent”, theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës u shpreh i gatshëm që brenda 48 orëve, sa është shtyrë afati për targat, të punojë për gjetjen e zgjidhjes me palën serbe, por me marrëveshje të plotë siç është synuar fillimisht në Bruksel.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Ne po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj se jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal që brenda 48 orëve të kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar vetëm te çështjet e targave”.
Bashkimi Evropian u ka prezantuar palëve propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Deri tani janë raportuar vetëm versione jozyrtare të raportit. Ndërkohë, një vendim i Qeverisë së Kosovës që të ndalojë targat ilegale në veri të vendit ka rritur tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.