Kryeministri Albin Kurti deklaroi se masat e BE-së ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian, teksa shtoi se masat duhet të largohen.
Kështu u shpreh shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për Integrim Evropian ku u theksuan reformat kyç të programit kombëtar për integrim evropian.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një dekade stagnimi, zgjerimi i BE-së është kthyer në agjendë.
"Anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Ne jemi të gatshëm t'u përgjigjemi mijëra pyetjeve nga Komisioni Evropian. Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike. Mobilizimi për të kapur hapin, ka bërë qe shumë reforma të përmbyllim. Nga 1 janari qytetarët tanë po lëvizin lirshëm në zonën shengen. Kemi zbatuar dyfishin e reformave të planifikuara", deklaroi Kurti.
Kurti përsëriti se masat nga BE-ja duhet të largohen.
"Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër, po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave të BE në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen", deklaroi ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se programi kombëtar i integrimeve evropiane është dokument strategjik.
"Këto reforma ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik", shtoi ai.