Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e ka komentuar takimin që zhvilloi dje me ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien.
Pas takimit, përmes një komunikate për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës u tha se temë diskutimi në këtë takim ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe nevoja për dorëzim të Millan Radoiçiqit në Kosovë.
“Jo, për besë, ne kemi marrëveshje tashmë, jo vetëm dialog”, ishin fjalët e kryeministrit kosovar Albin Kurti pas ceremonisë së lançimit të projektit të Këshillit të Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror duke përforcuar të drejtat e pakicave dhe gjuhët e pakicave”.
Lidhur me projektin, Kurti u shpreh se Kosova ka bërë përparime domethënëse për pakicat në Kosovë.
Duke theksuar se ka akoma punë për të bërë, Kurti listoi edhe disa nga veprimet që kanë ndërmarrë si ekzekutiv për qasje të barabartë.
“Ne kemi qenë në gjendje të demonstrojmë përparim domethënës që nga opinioni i pestë i Komitetit Këshillimor me verifikimin e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe bazën ligjore që kemi krijuar për verifikimin edhe të diplomave të shkollave të mesme nga shkollat që marrin mësim në gjuhën serbe”, deklaroi ai.