Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, ato kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë. Gjatë një vizite në Policinë e Kosovës, Kurti ka thënë se me deklaratën për personat e zhdukur, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë.
Në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, shefi i ekzekutivit ka thënë se krimet e kryera gjatë luftës nuk parashkruhen e as nuk vjetërsohen.
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti ka thënë se nuk ka prioritet më të madh se e vërteta dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës.
“Ai theksoi rëndësinë e adoptimit të deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24-vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë. Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, Kurti ka thënë se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.