Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gabimet e së kaluarës në dialogun me Serbinë nuk do të përsëriten asnjëherë. Gjatë raportimit në Kuvend për dialogun, Kurti tha se nuk do të lejojë të negociojë asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.

Kurti tha se propozimi i BE-së për dialogun të vetmin nen që ka problem është neni 10, ku flitet për formimin e Asociacionit në kuadër të obligimeve nga e kaluara.

“Me lejoni t’ju theksoj se premisa bazë si kryeministër është që nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës. Apo diçka që synon territorializmin, monoetnicitetin ose krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Pra, asnjë nga kjo, asnjëherë. Gabimet historike dhe politike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëjë përpjekje maksimale që ato gabime t’i eliminoj ose së paku t’i reduktoj substacialisht që mos të jenë pengesë për karakterin unitar të Kosovës”, tha Kurti.

Ndërkohë, tha se neni shtatë i marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në bazë të konventës së Këshillit të Evropës është e përfshirë në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

Megjithatë, Kurti tha se bashkësia ndërkombëtare është unike në kërkesën e saj për formimin e Asociacionin, për çka shtoi se ai pranon të njëjtën vetëm në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore, gjithmonë duke respektuar demokracinë dhe barazinë.

“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar dhe miratuar nga qeveritë dhe legjislaturat e mëhershme. Përgjigjja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore të republikës sonë. Duke respektuar demokracinë dhe barazinë, të drejtat e njeriut dhe simetrinë”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës tha se marrëveshja e Brukselit do të ishte njohje de-facto nga Serbia dhe këtë sipas tij e dëshmon fakti që Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen.

Kosova Press