Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një video-adresimi për qytetarët serbë të Kosovës ka thënë se para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në veri duhet të ketë fillimisht sundim të ligjit.
Kryeministri Kurti shprehu keqardhje për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore me shumicë serbe me pjesëmarrje të ulët, por tha se edhe pas shtyrjes së datës së mbajtjes së tyre me shpresë që të merrte pjesë partia më e madhe serbe Lista Serbe, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kurti tha se kandidati për kryetar të Komunës së Leposaviqit, Aleksandar Jabllanoviq, ka bojkotuar zgjedhjet në veri në momentet e fundit, për shkak të presionit të madh ose ofertës shumë luksoze. Ai ka hedhur dyshime se Jabllanoviqi ka marrë një milion euro dhe dy banesa në Beograd për t'i bojkotuar zgjedhjet.
Kurti tha se në veri të Kosovës, pas largimit të frikës dhe kriminelëve, do të zvogëlohet gradualisht numri i policëve nëpër objekte komunale. Ai tha se për këtë "kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë të hapur, të lirë, parazgjedhore në katër komunat në veri".
"Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatim urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes bazë dhe Aneksit të Ohrit. Tash e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes, në mënyrë që të mos e nënshkruante dhe tash ankohet dhe pendohet se tha po, dhe që e pranoi atë marrëveshjes, që do të thotë njohje de-facto e Republikës së Kosovës", tha Kurti.
Ai theksoi se sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Kryeministri kosovar tha se Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur një luftë tjetër.
"Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë rob lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe, ndryshe nga sot, ai kishte pushtet edhe pa detyrime sepse Millosheviqi mbante gjithë përgjegjësinë", potencoi Kurti.
Kurti në adresimin për qytetarët serbë në veri të vendit ka folur edhe për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, duke theksuar se sipas organizatave ndërkombëtare Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, lirisë së medias, lirisë politike dhe të drejtave civile si dhe zgjedhjeve demokratike.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka bërë shumë për serbët në Kosovë nëpërmjet programeve dhe platformave qeveritare.