Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas kthimit të tij nga Brukseli, ku u takua me krerët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ka thënë se atyre u ka kërkuar më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë “prej nga erdhi sulmi i 24 shtatorit” në veriun e Kosovës.
Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë, tha para mediave se ka kërkuar nga liderët evropianë gjithashtu që të sanksionohet Serbia për sulmin e 24 shtatorit “për hir të mospërsëritjes” së kërcënimeve të tilla.
Sa i përket mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje në Bruksel, Kurti tha se Serbia gjithmonë insiston me letra anësore dhe letra shtesë të cilat e cenojnë Marrëveshjen Bazike, për ta evituar pranimin e saj nga Serbia.
“Mbrëmë morëm vesh që presidenti i Serbisë kërcënon dhe përmbush ato kërcënime me këso letrash të cilat thonë tri gjëra: Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Kjo është një shtesë, sepse dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës, deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i papranueshëm”, theksoi Kurti i cili shtoi se edhe Federata Ruse para sulmit në Ukrainë thoshte se nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës.
Kurti tutje tha se në vend të ekstradimit nga Serbia në Kosovë të grupit terrorist që sulmuan shtetin e Kosovës më 24 shtator, Kosova po merr kërcënime nga Brukseli prej presidentit të Serbisë se “nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës”.
Kryeministri kosovar foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku tha se diplomatët perëndimorë të cilët ishin në vizitë të shtunën kanë paraqitur një draft të këtij asociacioni për të cilin kanë thënë se është shkruar me kujdes në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që, nëse do të nënshkruhej, atë parashihej ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti më 26 tetor në Bruksel zhvilloi takim me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentin e Francës Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, zv/presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell, si dhe emisarin e tij Mirosllav Lajcak.