Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Istanbul të Türkiyes, ka folur në një intervistë për emisionin Across the Balkans në TRT World.
Intervista u përqendrua te bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në këtë drejtim.
Kryeministri Kurti tha se Serbia po kërkon të respektohet vetëm një nga 33 marrëveshjet e arritura në Bruksel, ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Para se të marr unë detyrën e kryeministrit, për një dekadë janë zhvilluar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Brukselit. U nënshkruan 33 marrëveshje dhe njëra prej tyre është marrëveshja për parimet, ku 6 nga 15 pikat janë për atë që njihet si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Nga ana tjetër, të gjitha marrëveshjet e kaluara përmenden në fjalinë e fundit të nenit të fundit në propozimit evropian. Sigurisht se nuk e mohoj se ka pasur një marrëveshje të tillë, por nuk duhet të ketë përzgjedhje, të zgjedhësh një marrëveshje që të pëlqen nga 33 marrëveshjet. Gjithashtu nuk mund ta vendosim qerren para kalit”, deklaroi kryeministri i Kosovës.
I pyetur për presionin amerikan për ta pranuar Asociacionin e kërkuar nga Serbia, Kurti tha se ai do të kërkojë të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, Kushtetuta dhe ligji.
“Duhet të jemi të vëmendshëm dhe duhet të jemi korrektë. Ato që i publikova unë si parime ose kushte për pranimin e asociacionit, nuk janë qëndrimet e mia arbitrare ose mendimi im personal. Vullneti i njerëzve në Kosovë, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë ato që më bëjnë të them se së pari na duhet njohje e ndërsjellë dhe vetëm pastaj çfarëdo asociacioni”, tha kryeministri Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës përkujtoi se edhe Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë filloi si Asociacion. Ai tha se projekte të tilla përdoren nga Serbia për të paralizuar dhe për të dështuar vendet fqinje.
“Të mos e harrojmë përvojën e hidhur në Bosnjë e Hercegovinë. 14 komuna me shumicë serbe u bashkuan në prill 1991. Në janar 1992 shpallën pavarësinë, në shkurt kushtetutën. Pastaj kishim luftë, dhe në fund nga ky asociacion doli Republika Sërpska”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Kosova me Türkiyen ka raporte të shkëlqyra dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, është i interesuar t’i ndihmojë Kosovës.
“Presidenti Erdogan vërtet dëshiron të mbështesë Kosovën dhe unë jam shumë mirënjohës për kontributin e Republikës së Türkiyes gjatë viteve. Shumë ushtarë tanë janë trajnuar në Türkiye. Gjithashtu do të rrisim bashkëpunimin ushtarak, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin tregtar”, deklaroi Kurti.
Kurti gjithashtu u shpreh se Türkiye po i ndihmon vazhdimisht Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe anëtarësimin në NATO, si dy qëllime për të cilat po punon Prishtina.