Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar kërkesën e dorëzuar nga ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, që Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe t’i lejohet hyrja në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë në territor të Kosovës pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese.
“Ministrit Rashiq, kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht. Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjë pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Patriarku Porfirije kishte bërë kërkesë zyrtare për të hyrë në Kosovë edhe në datat 26-28 dhjetor 2022, por më 26 dhjetor Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se vizita e Porfirjes ishte kushtëzuar.
Ministria theksoi se vizita e Patriarkut në Kosovë do të mund të aprovohej vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe, të cilët sipas ministrisë, hynin ilegalisht në Kosovë duke u dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri, të cilat ishin përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje për disa javë.