Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ofertën që ia ka bërë “për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës”, në një asociacion që do ta hartonte dhe propozonte vetë kryeministri i Kosovës.
Kurti në një postim në rrjetet sociale ka reaguar duke thënë se Vuçiq pasi refuzoi të nënshkruante Marrëveshjen bazë më 27 shkurt dhe Aneksin e implementimit më 18 mars, ai refuzoi “edhe propozimin e bërë për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë”.
“Pas refuzimit që të nënshkruante Marrëveshjen më 27 shkurt dhe para se të refuzonte përsëri të nënshkruante më 18 mars Aneksin, presidenti i Serbisë refuzoi edhe ofertën time bujare për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës, në një asociacion që unë do të hartoja dhe propozoja. A është ai Dr. No apo Z. Nyet? E dimë që ai nuk është doktor”, ka shkruar Kurti, duke aluduar se Vuçiq u përgjigj me përgjigje negative në rusisht.
Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas rreth 12 orësh negociata mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian (BE), u arrit marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit Evropian për dialogun, por pa nënshkrim nga palët.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, pas përfundimit të diskutimeve mes palëve ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara, bazuar në deklaratën e tij. Kryeministri Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante, por presidenti Vuçiqi refuzoi. Borrell, megjithatë, e bëri të qartë se Marrëveshja dhe Aneksi i implementimit do të bëhen pjesë integrale të procesit të anëtarësimit në BE, për Serbinë e Kosovën.
Në marrëveshjen me 11 nene të pranuara në parim më 27 shkurt midis palëve në Bruksel, neni 7 kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.