Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u prit në Athinë nga kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin zhvilloi një takim dypalësh.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryeministri Kurti fillimisht i uroi homologut të tij grek për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar, duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.
Kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në rrafshin politik nëpërmjet vizitave të shpeshta të krerëve institucionalë të të dy shteteve.
Dy kryeministrat biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri Kurti tha që tashmë ka marrëveshje, porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.
“Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, thuhet në njoftim.
Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9 për qind dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9 për qind sa ishte në janar në 2,8 për qind në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme.
Në takim u bë e ditur se shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40 për qind ose afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.
Kryeministri Kurti po ashtu ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballjen me zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë nëpërmjet njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Me ftesë të kryeministrit Mitsotakis mbrëmë u zhvillua një darkë në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikollai Denkov, si dhe presidentja e Moldavisë Maia Sandu.